Moti

TIRANA WEATHER

Flash

Ata janë miqtë e tu, Edi Rama dhe së pari duhet të kërkojnë falje për genocidin barbar në Kosovë














Nga Xhildinho OZUNI


Kush mund t’i thoshte Edi Ramës në OKB, se serbët janë vrasës të mbi 15.000 shqiptarëve, prandaj të paktën mos përdorte fjalën “miq”, kur t’i përmendte ata në fjalim?!
Kryeministri Edi Rama, me një frymë nxitoi t’i quante “miq” serbët, në një fjalim në OKB dhe kërkoi nga ta, gjithnjë nën petkun e një “miqësie shqiptaro-serbe” të njihnin me patjetër Kosovën, si shtet të pavarur. Nëse është e mundur që vërtetë të kultivohet një miqësi shqiptaro-serbe në të ardhmen, parësore është që serbët të kërkojnë falje për genocidin ndaj shqiptarëve të kryer në Kosovë.
Teksa mori fjalimin në OKB dhe filloi të fliste për Kosovën, z. Rama kurrsesi nuk arriti ta prekë këtë pjesë. Ai vazhdoi me një retorikë që është thënë e stërthënë qindra herë, kësaj radhe duke tentuar t’ia mbushte mendjen serbëve me etikimin ‘miq të shqiptarëve’.
Përse Edi Rama nuk u zotua t’ua thoshte në sy serbëve, që të ndalojnë tërbimin për të korruptuar shtetet (që ka njohur Kosovën), të tërheqin njohjen?!
Dhe kjo është një këmbanë alarmi edhe për diplomacinë shqiptare, se si në këto kushte, ku rrezikohet seriozisht integrimi i Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare, me një sy qorr dhe një vesh shurdh bëhen inferiorë me mosreagimin e tyre.
Përse Edi Rama nuk u zotua t’ua thoshte në sy serbëve, që të ndalojnë terrorin serb dhe diskriminimet ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës?!
Lugina e Preshevës bashkë me Medvegjën dhe Bujanovcin po përjetojnë një shpopullim masiv të shqiptarëve, kjo për shkak të kushteve të vështira ekonomike dhe sociale, terrorin e vazhdueshëm serb dhe indiferentizmin e shtetit shqiptar. Për të mbuluar këtë indiferentizëm ndaj shqiptarëve të Luginës, disa muaj më parë, qeveria shqiptare akordoi një fond qesharak prej 25 mijë € për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi, kur po në të njëjtën kohë, Serbia mbështeti serbët e Kosovës me një fond prej 40 milionë €.
A janë këto mekanizma të denja, për ta forcuar dhe mbajtur gjallë identitetin shqiptar në këto troje dhe më gjerë?
Përse Edi Rama nuk u zotua t’ua thoshte në sy serbëve se çdo donacion me abetare dhe libra shqip për fëmijët shqiptarë në Preshevë bllokohet qëllimisht, çdo vit në doganat serbe, vetëm që këta fëmijë shqiptarë të humbasin mësimin e gjuhës së tyre amtare?!
Që prej viti 2015, rreth 2000 fëmijë shqiptarë të Luginës së Preshevës nga 10.000 fëmijë gjithsej nuk kanë mundur të marrin mësimin e gjuhës shqipe, për shkak të radikalizmit aktiv serb në Luginë. Libri shqip në Luginën e Preshevës është bërë ‘mall’ i ndaluar.
A po zbatohet në heshtje plani i politikanit albanofob Vaso Çubriloviç për shpopullimin dhe dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre?
Duke parë gjëndjen mjerane, në të cilën ndodhet faktori shqiptar në rajon dhe botë, kuptohet që direktivat për të udhëhequr shqiptarët, prej dekadash vijnë nga trinomi i zi Beograd – Athinë – Ankara.

No comments